Ekonomi

Bizneset vazhdojnë ta mbushin Buxhetin, por Ligji për TVSH-në po konsiderohet i dëmshëm për ta – Lajmet e fundit

0









Buxheti i Republikës së Kosovë vazhdon të varet nga tatimet në produkte. Të hyrat e përgjithshme të Qeverisë vitin e kaluar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ishin mbi 2 miliardë e 200 milionë euro, shkruan Zeri.info.


Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte apo TVSH, që paraqesin 64% të totalit të të hyrave.


Ndërkohë gati 1/3 e buxhetit të grumbulluar, sipas këtyre të dhënave, është shpenzuar në mëditje, apo 29%, në kontribute sociale dhe përfitime 23%, ndërsa pjesa tjetër shpenzime të shpërndara në disa kategori të tjera.


Krahasuar me të hyrat e vitit 2018, të hyrat në arkën e shtetit për vitin e kaluar kanë shënuar ngritje për 150 milionë euro.


Ngritja e të hyrave buxhetore, sipas Arian Zekës, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka të bëjë me vlerën e shtuar monetare të importeve përgjatë vitit të kaluar krahasuar me vitin paraprak.


“Investimet e ardhshme në kapacitetet industriale vendore do të ndikonin në plotësimin më të madh të nevojave të tregut të brendshëm dhe rrjedhimisht edhe në uljen e importeve”, deklaron ai për “Zërin”.


Qeveria e kaluar pat planifikuar që TVSH-ja të zbatohet pas plasimit të produkteve në treg.


Ndërsa përmend Ligjin për Tatim mbi Vlerën e Shtuar, Zeka për “Zërin” thotë se ligji aktual po e vështirëson të bërit biznes në Kosovë.


“Përqindja aq e lartë e TVSH-së së mbledhur në kufi reflekton edhe deficitin tregtar të vendit. Qeveria e kaluar ka planifikuar ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e rrjedhimisht edhe fillimin e mbledhjes së brendshme së TVSH-së, që do të thotë vetëm pas plasimit të mallit në treg, për dallim prej mbledhjes aktuale në kufi e cila vështirëson të bërit biznes për shkak të ndikimit të menjëhershëm në rrjedhën e parasë së gatshme të bizneseve. Që kjo të ndodhë në praktikë, pas ndryshimit të ligjit, nevojitet edhe fuqizimi i kapaciteteve të brendshme tatim-mbledhëse”, ka përfunduar Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i OEAK-së.