Teknologji

Google do t’i identifikojë faqet e ngadalta në Chrome

0

Gjiganti i teknologjisë Google është duke eksperimentuar me një simbol të ri që duhet të shënojë vendet me ngarkim të ngadaltë në shfletuesin Chrome.

Postimi në blog i ekipit Chrome shpjegon se në
të ardhmen shfletuesi do të jetë në gjendje të identifikojë faqet që ngarkohen
shpejt ose ngadalë për përdoruesit dhe t’i shënojnë ato me etiketa të qarta.

Ky lloj shënjimi mund të marrë shumë forma,
dhe ekipi planifikon t’i provojë ato përmes eksperimentit dhe të gjejë atë që
do të jetë më i dobishëm për përdoruesit.

Google planifikon të identifikojë faqet që
janë krijuar të jenë përgjithësisht të ngadalta. Ekipi i Chrome gjithashtu po
eksploron aftësinë për të identifikuar vendet me ngarkesë të ngadaltë për shkak
të lidhjeve të ngadalta të harduerit ose rrjetit, transmeton KosovaPress.

Google po shqyrton gjithashtu një ekran të
ngarkimit që do të paralajmëronte përdoruesit, ose një shirit përparimi që do
të ishte i gjelbër nëse faqja ishte e shpejtë dhe e kuqe nëse e ngadaltë.

“Ne po zhvillojmë etiketimin e shpejtësisë në
bashkëpunim të ngushtë me ekipe të tjerë në Google që janë të angazhuar në
shënjimin ose testimin e përvojës së përdoruesit”, shpjegon ekipi i Chrome.

“Ne jemi shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë
për vendosjen e normave për atë që konsiderohet një përvojë e mirë në internet,
dhe shpresojmë se ato do të jenë të arritshme për të gjithë zhvilluesit,”
shtojnë ata.

Nuk është e qartë se kur sistemi i ri do të
shfaqet në Chrome, por Google ka njoftuar planet në një konferencë të Chrome
Dev Summit në San Francisko.

Njoftimi është i rrethuar me shumë “ndoshta”, kështu që është e qartë se Google dëshiron reagime nga zhvilluesit e uebit para se të vazhdojë më tutje.