Sport

Morina: S’duhet të presim suksese në Evropë, futbollistët tanë nënçmohen shkaku i vizave

0

Trajneri i njohur kosovar dhe drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina, thotë se nuk është e drejtë të priten suksese të mëdha nga klubet kosovare në ligat evropiane, përderisa ka shtuar se futbollistët kosovarë vazhdojnë të jenë të nënçmuar shkaku i vizave.

Më 3 maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA, organin qeverisës të futbollit në Evropë. Ekipet kosovare, që nga atëherë, mund ta kualifikohen në dy garat evropiane – Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, transmeton Gazeta Express.

Për herë të parë,
Kosova u përfaqësua nga klube vendore në Evropë gjatë sezonin 2017/18 dhe që
nga atëherë Kosova është ngritur në radhitjen e UEFA për koeficientët e ligave,
duke bërë kështu që Kosova të garojë më tri klube nga sezoni i ardhshëm në
kualifikimet për garat evropiane.

Në Ligën e Kampionëve,
Trepça ’89 humbi qysh në rundin e parë në sezonin 2017/18. Në sezonin vijues,
Drita e kaloi rundin parakualifikues, por humbi në rundin e parë – njëjtë si
Feronikeli këtë sezon.

Ndërsa, në Ligën e
Evropës, Prishtina ishte klubi i parë kosovar që mori pjesë në këtë garë, duke pësuar
humbje qysh në rundin e parë kualifikues. Në sezonin vijues 2018/19, Prishtina
e fitoi duelin në rundin parakualifikues, por humbi në rundin e para
kualifikues, ndërsa Drita pësoi disfatë në rundin e dytë kualifikues. Këtë
sezon, Prishtina u eliminua qysh në rundin parakualifikues, ndërsa Feronikeli
në rundin e dytë kualifikues.

Nga gjithsej 22
ndeshje të zhvilluara nga klubet kosovare në Evropë, janë regjistruar pesë
fitore, pesë barazime dhe 12 disfata. Por, Morina beson se s’duhet të pritet që
klubet kosovare të kenë suksese më të mëdha menjëherë.

“S’ka mundur të pritet të kemi sukses sepse s’është
e mjaftueshme t’i kesh 11 lojtarë të mirë edhe të dalësh tash ta mposhtësh
krejt Evropën. Kjo është iluzore. Ky është ai disbalanci te ne, njerëzit i
shikojnë ligat evropiane dhe mendojnë që edhe lojtarët e Kosovës duhet të luajnë
si ata”, ka thënë Morina në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Jo, të mos harrojmë që vetëm në dy apo tre
vjetët kanë filluar të bëhen nga një fushë ndihmëse me bar artificial. Ende
asnjë klub i joni s’e ka restorantin ku mund të ushqehen lojtarët ashtu siç
duhet, në bazë të stërvitjes që e ka atë ditë”.

“Unë prapë them që këto rezultate që i kemi arritur në Evropë janë sukses. Është hera e parë që dalim në Evropë, nuk duhet t’i akuzojmë, por t’u themi “Bravo”.  Ne nuk mund të kërkojmë të hyjmë menjëherë në grupe të Ligë të Kampionëve”.

“Edhe unë kam qejf ta shoh secilin ekip të Superligës t’i kalojë gjashtë-shtatë xhiro në Evropë, por nuk ka mundësi. Djemtë tonë hala duhet të presin atje për të marrë vizë për të shkuar të luajë në një shtet, edhe kjo është nënçmim”. /Gazeta Express/

The post Morina: S’duhet të presim suksese në Evropë, futbollistët tanë nënçmohen shkaku i vizave appeared first on Gazeta Express.