Bujku

Policia merr masa për kontrollimin e makinave bujqësore në Komunën e Mitrovicës

0

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve, në vazhdimësi po ndërmerr masa në zbatim të ligjeve të fushës së trafikut rrugor, ku javë më parë Njësia e Trafikut Rajonal ka filluar së zbatuari planin operativ, ku në fokus është ‘kontrolli i traktorëve dhe makinave bujqësore’.

Policia përmes një komunikate të bërë për media, ka thënë se duke marrë parasysh sezonin vjeshtor, numrin e shtuar të traktorëve e makinave bujqësore në trafikun rrugor, rritjen e numrit të aksidenteve, veçanërisht aksidente ku të përfshirë janë traktorë dhe makina tjera bujqësore, Njësia e Trafikut Rajonal ka shtuar kontrollet në trafikun rrugor, përcjell Telegrafi.

“Në mbështetje dhe zbatim të këtij plani operativ, do të jenë edhe njësi nga niveli i stacioneve policore, me ç’rast kontroll të shtuar do të ketë në të gjitha rrugët, përfshirë edhe rrugët lokale, për pjesëmarrësit që bien ndesh me rregullat që parasheh ligji në trafik, po shqiptohen masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve”, thuhet në komunikatë.

Duke pasur parasysh rastet e aksidenteve, ku si shkaktarë konsiderohen traktorët, Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti tek drejtuesit e traktorëve dhe makinave bujqësore, që të shtojnë kujdesin dhe vigjilencën gjatë qarkullimit të tyre, që makinat e tyre të jenë teknikisht në rregull, të respektojnë dhe t’iu përmbahen dispozitave ligjore, sinjalistikën rrugore, si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugëve./Telegrafi/