Ekonomi

Sërish parku i Gërmisë mbushet me mbeturina – Lajmet e fundit

0









Përderisa në Zvicër është në miratim e sipër ligji i cili parasheh një gjobë prej 1600 frangave (1450 euro) për hedhje të mbeturinave në vende publike, në Kosovë vazhdon avazi i vjetër i hedhjes së mbeturinave vend e pa vend, transmeton Zeri.info.


Image


Në këtë në masë të madhe ka kontribuar edhe gjoba tejet e ulët për ata që kapen duke hedhur këto mbeturina, dënime këto që rrallëherë zbatohen. Përderisa në Zvicër për hedhjen e vetëm në cigareje në rrugë mund të gjobitesh me shumën e përmendur më lartë, në Kosovë për hedhjen e një kamioni me mbeturina inerte, merr një gjobë prej vetëm 100 eurove, çka është shumë qesharake, në krahasim me pasojat e një veprimi të tillë.


Image


Po ashtu, edhe zyrtarët të cilët janë të angazhuar për të mbrojtur ambientin dhe për të gjobitur shkelësit e ligjit, janë shumë pak aktiv, të mos themi aspak. Shembull janë deponitë e reja të mbeturinave, të cilat janë hedhur vend e pa vend nga persona të papërgjegjshëm.


Image


Një shembull për këtë është edhe pjesa tek parku i Gërmisë, më saktësisht ana e majtë tek pishina e Gërmisë, e cila ishte pastruar vetëm një muaj më parë, nga ku ishin larguar qindra kamionë me mbeturina të ndryshme. Po në këtë vend, tani shihen me dhjetëra grumbuj të mbeturinave të hedhura nga kamionët dhe shumica prej tyre janë mbeturina inerte të cilat janë hedhur nga kompani të ndërtimit.


Image


Kjo pjesë e bukur e parkut të Gërmisë, sërish e ka marrë pamjen e shëmtuar sikur të para një muaji, çka mund të shihet edhe përmes fotografive. Se kur përgjegjësit për ruajtjen e ambientit dhe ne si popull në përgjithësi do ta ndryshojmë këtë kulturë të tmerrshme të shkatërrimit të ambientit në të gjitha format, është vështirë të thuhet, por siç qëndrojnë punët, e largët duket kjo ditë.


Image


Nëse nuk do të ketë një ashpërsim më të madh të dënimeve dhe kontrolleve dhe nëse ne si popull nuk e krijojmë një kulturë të atillë që ambientin ku jetojmë ta konsiderojmë si oborrin tonë, atëherë vështirë se mund të ketë një përmirësim në këtë drejtim./ZERI


Image

Image