Teknologji

Tesla zgjedh Berlinin për fabrikën e parë në Evropë

0

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, ka thënë se Berlini do të jetë qyteti i parë evropian ku prodhuesi i veturave elektrike do të ndërtojë fabrikë. Ky vendim është pjesë e planit për zgjerimin e rrjetit të fabrikave në tërë botën.

Përpos fabrikës, Musk tha se kompania e tij do
të ndërtojë në kryeqytetin gjerman edhe një qendër për inxhinieri dhe dizajn të
veturave. Më parë, Tesla kishte thënë se synon ta fillojë prodhimin e veturave
në Evropë në vitin 2021.

Ky vendim vjen pasi kompania e veturave
elektrike, e cila ka investuar shumë në një fabrikë në Kinë, po përballet me
rritje të konkurrencës në tregun e këtij lloji të veturave për shkak të planeve
të prodhuesve të tjerë për rritjen e investimeve në vetura me rrymë.

Shefi i Tesla-s e bëri të ditur këtë lajm gjatë
një ceremonie për ndarjen e çmimeve për vetura në Gjermani. “Të gjithë e dinë
se inxhinieria gjermane është e jashtëzakonshme dhe kjo është njëra ndër arsyet
që ne do ta ndërtojmë fabrikën në këtë vend”, tha ai.

Ai njoftoi se fabrika do të ndërtohet afër
aeroportit të ri të Berlinit dhe në të fillimisht do të prodhohen veturat e
modelit Y dhe bateritë për vetura.

Vendimi i kësaj kompanie për ndërtimin e fabrikës në Gjermani po vlerësohet edhe si rezultat i rritjes së kërkesës për vetura elektrike në Evropë. Përpos Evropës, Tesla ka investuar mjaft shumë edhe në Azi. Kompania i ka ndarë 2 miliardë dollarë për ndërtimin e fabrikës në Shanghai, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.