Ekonomi

Vazhdon ngritja e çmimeve të vajit ushqimor, pemëve dhe karburanteve – Lajmet e fundit

0









Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin maj 2021.


Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte (-0,2%) në muajin maj 2021.


Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0,2%) në muajin maj 2021, i krahasuar me muajin e kaluar, prill 2021.


“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (-6,6%); pije alkoolike (-1,0%); shërbime për transport (-2,2%) ‘rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror’, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,3%) në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së.


Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra ushqimore (3,2%); pemë (1,3%); karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (0,8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,1 për qind në IHÇK.


“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin maj 2021 me muajin maj 2020 ishte 2.0%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,0% në muajin maj 2021, i krahasuar me muajin maj 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1,6%); vajra dhe yndyra ushqimore (23,2%); pije alkoolike (1,8%); duhan (4,5%); gaz (6,4%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (2,7%); pajisje shtëpiake (1,6%); produkte farmaceutike (1,7%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (25,6%); shërbime telefonike dhe të telefaksit (20,3%); shërbime hoteliere (1,0%); kujdes personal (1,7%); dhe shërbime financiare (4,2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,7 për qind në IHÇK”, thuhet në publikimin e ASK-së.


“Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-1,3%); pemë (-16,1%); energji elektrike (-10,6%) –(zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, COVID-19, nr. 07/L-016, Neni 15, për periudhën janar – maj 2021); pajisjet telefonike dhe të telefaksit (-4,0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,7%) në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së. /Zëri